Ligjvënësit amerikanë janë në garë me kohën për të miratuar një paketë të dytë masive të ndihmave për të trajtuar krizën ekonomike dhe shëndetësore të shkaktuara nga koronavirusi.

Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi do të flasë me Sekretarin e Thesarit Steve Mnuchin të hënën përpara një afati 48 orësh që ajo vendosi për të arritur një marrëveshje përpara ditës së zgjedhjeve më 3 nëntor.

Nëse Shtëpia e Bardhë dhe Dhoma e Përfaqësuesve e kontrolluar nga demokratët nuk mund të arrijnë një marrëveshje deri të martën, mundësia tjetër për negociata mbi një paketë tjetër ndihmash mbetet nëntori dhe dhjetori.

Në një letër drejtuar anëtarëve të Dhomës së Përfaqësuesve të dielën, zonja Pelosi shprehu optimizëm rreth shanseve për të arritur një marrëveshje. Por ajo gjithashtu i tha emisionit “This Week Sunday” të kanalit ABC se administrata e Presidentit Trump kishte hequr elemente kryesore nga legjislacioni që përcaktonte strategjitë e testimit dhe gjurmimit të të infektuarve me Covid-19.

“Pra, për këtë temë ende nuk kemi marrëveshje për gjuhën e paketës. Por unë shpresoj se do të arrijmë marrëvesheshje”, tha zonja Pelosi.

Ligjvënësit amerikanë kanë dështuar në mënyrë të përsëritur për të arritur një marrëveshje mbi një raund të dytë ndihmash ekonomike për miliona amerikanë të ndikuar nga pandemia. Në shtator, republikanët e senatit dështuan të miratonin një projekt-paketë më të vogël prej 500 miliardë dollarë. Dhoma e Përfaqësuesve miratoi Aktin e Heronjve prej 2.2 trilionë dollarësh në qershor dhe deri më tani ka hedhur poshtë ofertën e administratës prej 1.8 trilionë dollarësh për një raund të ri ndihmash.