Brukseli ka filluar veprime ligjore kundër Qipros dhe Maltës rreth skemave të tyre të “pasaportës së artë” për investitorët e pasur, duke thënë se ato ishin të paligjshme dhe minonin shtetësinë e BE-së.

Komisioni Evropian u ka shkruar dy vendeve, të cilat u bashkuan me BE në 2004, për të kërkuar shpjegime, duke paralajmëruar se skemat rritën rreziqet e pastrimit të parave, evazionit fiskal dhe korrupsionit.

Pasaportat e BE janë shumë të çmuara pasi ato u japin pronarëve të tyre të drejtën për të udhëtuar, jetuar dhe punuar lirshëm në të 27 anëtarët e bllokut – një e drejtë që komisioni tha se duhet të mbrohet.

Efektet e skemave të shtetësisë së investitorëve nuk janë të kufizuara vetëm në vendet anëtare që i përdorin ato, as nuk janë neutrale në lidhje me vendet e tjera anëtare dhe BE në tërësi,” tha komisioni në një deklaratë.

“Komisioni vlerëson se dhënia e shtetësisë së BE-së për pagesa të paracaktuara ose investime pa ndonjë lidhje të mirëfilltë me vendet anëtare të interesuara, minon thelbin e shtetësisë së BE-së.”

Vendet kanë dy muaj kohë për t’iu përgjigjur njoftimit zyrtar të veprimit të komisionit, pas së cilës mund të merren masa të mëtejshme.

Qiproja tashmë ka thënë se do të ndalojë skemën e saj muajin tjetër pasi një hetim nga transmetuesi Al Jazeera njoftoi se dhjetëra prej atyre që aplikuan ishin nën hetim penal, në sanksione ndërkombëtare ose madje të dënuar me burg.

Zëdhënësi i Komisionit Christian Wigand tha se BE ishte e shqetësuar nga thirrjet që Qipro të rivendoste një program të ngjashëm – dhe nga fakti që Malta ka njoftuar se ajo synon të zgjasë skemën.

Ai shtoi se ishte e rëndësishme “që asnjë shtet anëtar të mos funksionojë me skema që në thelb rezultojnë në shitjen e shtetësisë së BE”.

Qiproja filloi të ofrojë shtetësinë në këmbim të investimeve të konsiderueshme në 2007 por rriti skemën në 2013, ndërsa Malta ka shitur shtetësinë që nga 2014.

Investitorët mund të marrin një pasaportë qipriote në këmbim të një investimi prej 2.5 milion €, duke mbledhur rreth shtatë miliardë euro për arkat e Nikosias gjatë viteve.

Malta muajin e kaluar arrestoi shefin e kabinetit të ish-kryeministrit Joseph Muscat si pjesë e një hetimi mbi pretendimet e shkeljeve të lidhura me skemën e saj të pasaportës së artë.

Komisioni ka lëshuar paralajmërime në lidhje me rreziqet që paraqesin skemat, por deri më tani nuk ka ndërmarrë ndonjë veprim konkret për të trajtuar problemin.© Panorama.al